Policia e Kosovës është duke shqiptuar për çdo ditë gjoba për personat të cilët nuk po respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet e Institucioneve shëndetësore ndaj COVID-19.
PK ditëve të fundit ka shqiptuar mijëra tiketa në bazë të ligjit COVID-19, ku sipas këtij ligji, personat që nuk bartin maskë dënohen me 35 euro.
Në bazë të numrit të tiketave, Policia e Kosovës për 24 orë po shqipton mbi 1 mijë tiketa e që kthyer në vlerë i bie 35 mijë euro.
Nëse bëjmë një llogaritje të lehtë, me këtë numër të tiketave për mos respektim të ligjit COVID-19, buxhetit të Kosovës për 1 javë i shkojnë rreth 250 mijë euro.
Ndërsa me numër të përafërt të tiketave të shqiptuara, për 1 muaj i bie që arkës së shtetit t’i shtohen gati 1 milionë euro nga këto gjoba.
Vetëm në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mijë e 178 tiketa në bazë të ligjit COVID-19.
Kujtojmë se ligji anti COVID-19 ka hyrë në fuqi gjatë muajit gusht të këtij viti.
Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 një ditë më parë është publikuar në Gazetën zyrtare, e që rrjedhimisht ka hyrë edhe në fuqi.
Ligji për Pandeminë ka 29 nene, ndërsa rregullon çështjen e parandalimit, menaxhimit dhe kontrollit të pandemisë COVID-19, shkruan FaktePlus.
Ky ligj po ashtu trajton masat për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, çështjen e testimit, diagnozës dhe trajtimit, pastaj prezanton organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore, çështjen e lëvizjes në oraret e përcaktuara, pastaj çështjen e aktiviteteve në ambiente private e publike, etj.