Deputeti i Kuvendit të Kosovës Veton Berisha, para disa ditësh i është bashkangjitur Grupit Parlamentar NISMA-AKR, duke e rifunksionalizuar këtë grup brenda Kuvendit, i cili ishte shpërbërë për shkak të numrit mangët të deputetëve, pas kalimit të deputetit Haxhi Shala, nga NISMA në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Berisha ka thënë se arsyeja kryesore që iu është bashkangjitur këtij grupi është hapësira më e madhe e veprimit në mbrojtje të interesit të komunitetit egjiptian.
“Unë do të jem në pesë komisione parlamentare. Për shkak të grupit të ngushtë neve na jepet mundësia që të kemi më shumë komisione. Kam qenë në dy do të jem edhe në tri të rregullta. Do të jem në komisionin për Buxhet dhe Financa, do të jem në komisionin për të Drejtat e Njeriut, do të jem në komisionin për Integrime Evropiane, në disa komisione që janë krijuar Ad-Hoc për hetime parlamentare si dhe në komisionin për të Drejtat e Komuniteteve.Pra me anë të këtyre komisioneve do të jem mjaftueshëm në çështjet që prekin komunitetin egjiptiane për t’i shtyrë përpara”.
Ai në rubrikën Sytë 7, theksoi se ka marrë zotimin e NISMA-s për t’i shtyrë përpara çështjet që ndërlidhen me komunitetin që ai përfaqëson.
Sipas tij nëpërmjet ministrive që ka ky subjekt do të tentohet vazhdimi i ndërtimit të shtëpive dhe mbështetja e bizneseve për këtë komunitet.