Partia Socialdemokrate ka njoftuar se 3 aktivistë të saj kanë pranuar ftesa për intervistim nga Policia e Kosovës, përcjell InLajmi.
Aktivistët Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Gëzon Kastrati janë ftuar për intervistim në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Lagjen e Muhaxherëve.
Njoftimi i plotë nga PSD:
Absurdi i ndjekjes policore flet shumë për Gjykatën Speciale
Sot në mëngjes, në zyrën e Partisë Socialdemokrate na erdhën tri ftesa nga Policia e Kosovës. Aktivistët Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Gëzon Kastrati janë ftuar për intervistim në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Lagjen e Muhaxherëve.
Sërish, arsyeja është aksioni që kemi zhvilluar kundër Gjykatës Speciale. Një aktiviteti krejt të rëndomtë i kanë dhënë kualifikim të veprës penale. Kur organizojmë aksione simbolike apo forma tjera të protestës ne ushtrojmë liritë dhe të drejtat tona. Këtë insistim të Policisë nuk mund ta kuptojmë ndryshe veçse si përpjekje për disiplinim.
Gjykata Speciale është e “ndjeshme” ndaj kritikës sepse është arbitrare dhe e padrejtë. Kundërshtimi i kësaj Gjykate është interes publik dhe shërbim për drejtësinë. Tash që po e vazhdon funksionimin pa mandat, ajo është vetë vendi i skandalit./InLajmi/