Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyqi dhe Sejdi Hoxha, kanë njoftuar për punën e komisionit parlamentar për privatizimet, duke theksuar se do të nxjerrin me emër dhe mbiemër të gjithë abuzuesit e pronave publike në Kosovë dhe përkatësinë e tyre politike, raporton InLajmi.
Për këtë paralajmërim deputetët kanë përzgjedhur 4 ekspertë profesionalë që do të angazhohen.
“Për një kohë të gjatë Partia Demokratike e Kosovës është akuzuar padrejtësisht për abuzime dhe përfitime të paligjshme me procesin e privatizimit. Madje shumë prej këtyre akuzave kanë ardhur pikërisht nga partitë që më së shumti kanë shfrytëzuar këtë proces për interesa të ngushta të zyrtarëve të saj”, thanë deputetët në konferencë.
“Ne si PDK kemi nisur këtë proces që synon të zbardhë keqpërdorimet e mundshme që mund të kenë ndodhur në këtë proces, si dhe t’i informojmë drejtë të gjithë qytetarët e vendit për çdo lidhje politike që kanë pasur personat të cilët kanë privatizuar asetet shtetërore të vendit tonë”, ka thënë deputeti Gazmend Bytyqi.
Për intervistim në këtë komision janë ftuar ish ministra, drejtorët e bordeve dhe drejtorët ekzekutiv të Bordit të Privatizimit, si dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut të cilët kanë qenë pjesë e bordittë AKP-së. /InLajmi/