Numri global i rasteve të konfirmuara me koronavirus kaloi të hënën 40 milionë.
Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins bazohen në raportimin zyrtar të vendeve veç e veç.
Sipas tyre, numri i përgjithshëm i viktimave është mbi 1.1 milion, ndërsa i të shëruave mbi 27.5 milionë.
Ekspertët, megjithatë, besojnë se numri i vërtetë i rasteve dhe viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, marrë parasysh mungesën e testimeve dhe raportimin e dobët nga disa vende.
Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar.
Që atëherë, ai është përhapur në gati 200 vende të botës, përcjell FrontOnline.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 8.1 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 219,000 viktima.