Vendi, i cili kishte një qasje të ndryshme nga të tjerët, duke lënë shumicën e shkollave, restoranteve dhe bizneseve të hapura gjatë pandemisë, ka parë një rritje graduale të sëmundjes që nga fillimi i shtatorit, duke prishur shpresat për të ashtuquajturin “imunitet kolektiv”.
Suedia ka gjithnjë e më shumë infeksione të reja, duke raportuar 1,075 raste të enjten dhe 596 dje.
Epidemiologu suedez Anders Tegnell beson se vende si Holanda, Spanja dhe Franca aktualisht po hyjnë në një valë të dytë, por ky nuk është rasti me Suedinë.
“Kjo do të nënkuptojë që virusi po përhapet ndjeshëm në pjesë të mëdha të shoqërisë, dhe ne nuk e kemi atë në Suedi,” tha ai, duke shtuar se rritja e rasteve duhet të merret shumë seriozisht.
Tubimet publike me më shumë se 50 persona aktualisht janë të ndaluara. Kjo vlen për koncerte, shfaqje dhe protesta, por jo për vendet e punës, qendrat tregtare ose ngjarjet private.
Sidoqoftë, edhe në rrethana kur ky ligj nuk zbatohet, pritet që të shmangen mbledhjet e grupeve të mëdha. Agjencia e Shëndetit Publik u kërkon të gjithëve që të shmangin ngjarjet me shumë njerëz, duke përfshirë ahengje, dasma dhe funerale, përcjell FrontOnline.
Autoritetet duan të futin bllokime lokale për të ndaluar përhapjen e shpejtë të virusit. Ky veprim shënon një qasje të re në trajtimin e virusit nga Suedia, pasi ata ishin të vetmit që kishin bare dhe restorante të hapura në mars, ndërsa pjesa tjetër e Evropës ishte në një bllokim.