Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar pas sulmit me armë ndaj veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi, duke e cilësuar si akt të tmerrshëm, përcjell InLajmi.
Ai ka shkruar në Facebook se janë organet e rendit ato që duhet rastin ta trajtojnë me prioritet të lartë duke qenë se brenda pak muajsh është sulmi i dytë, pasi që herën e parë kanë tentuar t’ia djegin veturën.
Postimi i plotë i tij:
Sulmi me armë zjarri ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi është i papranueshëm dhe i denueshëm. Ky është sulm ndaj fjalës së lirë dhe nuk është sulm vetëm ndaj tij, por ndaj gjithë komunitetit të gazetarëve në punën e tyre fisnike që e bëjnë.
Si kryetar i komunës dhe si mitrovicas, e dënoj fuqishëm këtë akt të tmerrshëm. Apeloj te organet e rendit dhe të drejtësisë që këdo që e ka kryer dhe ka gisht në sulm, ta përballin me forcën e ligjit dhe t’i japin denimin e merituar.
Duke qenë se brenda pak muajsh është sulmi i dytë, pasi që herën e parë kanë tentuar t’ia djegin veturën, i lus që rastin ta trajtojnë me prioritet të lartë.
AB./InLajmi/