Këshilli i Sigurimit i Organiztës së Kombeve të Bashkuara do të merret me Kosovën më 21 tetor, në takimin e rregullt të radhës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres ka përpiluar raportin për punën e UNMIK këto gjashtë muaj.
Është ky takimi i dytë për këtë vit, pas atij të mbajtur më 24 prill.
Raporti për Kosovën u është dhënë ndërkohë të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Mbi bazën e tij çdo anëtar i KS përgatit fjalën e vet. Raporti do të prezantohet shkurtimisht në Këshillin e Sigurimit nga shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.
Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Kosovën përmban 14 faqe të ndara në dhjetë pika, si dhe tre shtojca. Raportimi bëhet në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila thotë se Sekretari i Përgjithshëm i OKB duhet të informojë rregullisht Këshillin e Sigurimit për zbatimin e mandatit të UNMIK-ut. Raporti aktual trajton periudhën 16 mars- 15 shtator të këtij viti.
Katër faqet e para të raportit flasin për politikat kryesore dhe zhvillimet e çështjeve të sigurisë. “Sfida të ndyshme kanë hasur njerëzit dhe institucionet në Kosovë, por më kryesorja ka qenë COVID-19, krizë që përveç ndikimit në shëndetin publik ka pasur pasoja serioze politike, ekonomike dhe sociale”, shkruhet në fillim të raportit.
Raporti numëron ndër zhvillimet politike heqjen e besimit qeverisë së Albin Kurtit, dy muaj mbas qëndrimit në pushtet dhe ngritjen e akuzave nga Dhomat Speciale të Kosovës kundër presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK, Kadri Veseli, të cilat “e komplikuan më tej skenën politike të Kosovës”.
Kronologjikisht ngjarjet janë zhvilluar kështu: LDK doli nga koalicioni me Vetëvendosjen dhe 82 nga 120 deputetët e Kuvendit votuan në favor të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. Presidenti Thaçi ngarkoi LDK, partinë që pati dalë e dyta në zgjedhjet e fundit, për të formuar qeverinë e re. Qeveria e re është përzierje e partive të vogla. Kabineti i kryeministrit Hoti përmban 16 anëtarë, 3 prej të cilëve janë gra.
“Me të marrë pushtetin, qeveria e re përcaktoi si prioritete luftën kundër pandemisë, rimëkëmbjen e ekonomisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përparimin në dialogun me Beogradin dhe përparimin në integrimin europian”, shkruhet në raport. Qeveria ka propozuar një plan 1,2 miliardë dollarë për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Më tej: Në qershor Zyra e Prokurorit Special bëri të ditur akuzën e ngritur ndaj presidentit Thaçi, zotit Veseli dhe personave të tjerë të ngarkuar me krime, krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, zhdukje personash, torturë dhe përndjekje. Procesi pret të marrë rishikimin dhe konfirmimin nga një gjyqtar i procedures paraprake. “Zoti Veseli, thuhet në raport ka deklaruar se motivet e vërteta të Prokurorisë janë “krejtësisht politike”, kurse Presidenti Thaçi i quajti akuzat “të gabuara”. Ndërkohë Kuvendi nxorri një rezolutë të padetyrueshme që i bën thirrje njerëzve në Kosovë për të qenë të bashkuar në mbrojtje të vlerave të “luftës çlirimtare të UÇK”.
Raporti merret më tej me tensionet në rritje lidhur me vazhdimin e punimeve në rrugën për Mal të Zi, e cila kalon nëpër zonën e mbrojtur të manastirit Visoki të Deçanit. Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i kërkoi qeverisë së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar ta mbrojë zonën nga shkeljet. Beogradi kritikoi punimet për ndërtimin e rrugës dhe i kërkoi presidentit Vuçiq që të përfshijë këtë çështje në axhendën e bisedimeve të radhës Prishtinë- Beograd. “Punimet e rrugës kanë ndaluar, sqaron raporti, por komuna e Deçanit nuk është angazhuar që të ndalojë përgjithnjë punimet e rrugës “së paligjshme”.
Po ashtu raporti shkruan për rritje të akteve kriminale kundër personave dhe pronave në komunat serbe të Vushtrisë, Novakut, Prizrenit, Istogut, Gilanit dhe Obiliqit nga mesi i marsit deri në fund të majit.
Me ndikimin e virusit Corona dhe luftimin e tij merret pjesa e tretë e raportit. Kosova ka pasur 15 000 raste infektimi me COVID-19 dhe më shumë se 600 që kanë humbur jetën. Krah masave të tjera, është duke u bërë përpjekje, për të rritur kapacitetet në bërjen e analizave. “Reagimi ndaj pandemisë ka qenë nën ndikimin e sistemit të dytë paralel shëndetësor të mbështetur nga qeveria e Serbisë,” thuhet në raport, i cili vëren se “në fazat e para të pandemisë ka patur divergjenca midis masave të marra nga Prishtina dhe atyre të marra nga institucionet që sponsorizohen nga Beogradi”. Që nga marsi, ekipi i OKB në Kosovë, ka dhënë asistencë bilaterale dhe multilaterale prej 27 milionë dollarësh.