Herolind Shala u ka bërë thirrje tifozëve të Kosovës të kenë durim, duke thënë se gjërat e mira vijnë ngadalë dhe se gjërat e mëdha arrihen vetëm duke qenë të bashkuar, pas barazimit të Kosovës pa gola kundër Greqisë në Ligën e Kombeve.
Aro Muric ishte heroi i Kosovës duke bërë disa pritje dhe në veçanti penalltinë e Anastasios Bakasetas në pjesën e parë, duke ia siguruar kombëtares së vet një pikë në Athinë të mërkurën.
Verdhekaltrit kanë mundur ta fitonin takimin me pak fat, sikur goditja e Leart Paqaradës të mos spastrohej nga vija e portës nga mbrojtësi grek.
Kosova vinte në këtë takim në krizë të thellë rezultatesh dhe pasi ishte mposhtur në Prishtinë nga Greqia në ndeshjen e parë mes vete në shtator.
Forma e dobët dhe humbja e mundësinë historike për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 pas humbjes kundër Maqedonisë së Veriut bëri që lojtarët e kombëtares të kritikohesh tej mase në vend.
Por, përkundër 9 mungesave të mëdha, reagimi i skuadrës së Bernard Challandes ishte i mrekullueshëm në ndeshjen e së mërkurës, përcjell Gazeta Express.
Shala – i cili në mungesë të Amir Rrahmanit dhe Samir Ujkanit ishte kapiten i dardanëve – i ka falënderuar tifozët për përkrahjen dhe u ka bërë thirrje të kenë durim.