Që nga hapja e shkollave në Kosovë, janë raportuar 54 mësimdhënës dhe 22 nxënës të infektuar me koronavirus, por megjithëkëtë Ministria e Arsimit nuk po e parasheh mbylljen e tyre.
Ky institucion në një përgjigje për KOHËN ka theksuar se shkollat nuk do të mbyllen, por do të organizojnë mësimin sipas udhëzuesit të përgjithshëm të Ministrisë duke respektuar 3 skenarët, mësim në shkolla, mësim i kombinuar dhe mësim online, varësisht nga situata me pandeminë.
“Aktualisht gjendja në shkolla është në rregull, shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH-it, MSH-së dhe IKSHPK-së. Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASH-it për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokollin e reagimit ndaj pandemisë Covid-19”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.
E kryeministri Avdullah Hoti nuk është përgjigjur nëse mund të mbyllen sërish shkollat në rast se përkeqësohet situata me pandeminë, por ka thënë se do të veprohet sipas protokolleve në fuqi.
“Në atë moment që paraqitet një rast ndiqen protokollet e nevojshme që i kemi zhvilluar edhe brenda bashkë me IKSHPK-në dhe me Ministrinë e Shëndetësisë duke ndjekur edhe përvojën ndërkombëtare të OBSH-së”, ka thënë ai.
Një ditë më parë Hoti ka paralajmëruar shtrëngim të masave nëse shtohen rastet me Covid, derisa ka thënë se rreziku nga një valë re e Covid-19 në Kosovë është shumë i madh. Përmes një statusi në Facebook ai ka shkruar se përqindja e nxënësve të testuar që kanë dalë pozitivë është e lartë dhe çon në rrezik të përhapjes së virusit.