Petar Petkoviq, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se “nëse Kosova nuk e zbaton detyrimin nga marrëveshja e Brukselit, atëherë edhe detyrimet e Serbisë nga ai dokument do të pushojnë”.
Gjatë një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd, Petkoviq paralajmëroi se Serbia do ta konsiderojë edhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.


Serbia po kërkon që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Petkoviq nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë (RFE) rreth afatit të fundit për Prishtinën, pas së cilit, Serbia do të heqë dorë nga zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ai, gjithashtu nuk specifikoi hapat e ardhshëm të Serbisë lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, është përgjegjësi e Bashkimit Evropian (BE) të ushtrojë presion mbi Prishtinën dhe të mundësojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, siç parashikohet nga Marrëveshja e Brukselit e muajit prill të vitit 2013.
“Nuk do të ketë marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën përpara formimit të Asociacionit, dhe as nuk është në rend të ditës dhe as që është diskutuar diku. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, dhe në këmbim të marrë një asgjë të madhe. Marrëveshja duhet të burojë nga dialogu”, tha Petkoviq.
Ndërsa Marko Gjuriq, drejtori aktual i Zyrës për Kosovën dhe ambasadori i sapoemëruar i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, deklaroi se Serbia po përballet me kohë të vështira, sepse, siç tha ai, Prishtina po përpiqet të shkatërrojë dialogun.
“Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po bën një punë të madhe për të minuar përpjekjet për dialog. Edhe në të ardhmën Serbia do të angazhohet për dialog”, tha Gjuriq.
Çfarë ka thënë Hoti?
Më 12 tetor, kabineti i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Prishtina nuk do të pranojë negociata shtesë mbi krijimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe.
“Qeveria nuk do të pranojë diskutimin e kësaj teme në tryezën e bisedimeve, por do të respektojë detyrimet e marrëveshjes së arritur, të cilat më pas rregullohen nga Gjykata Kushtetuese”, thuhej në deklaratën e qeverisë.
Ky qëndrim i palës kosovare u bë i ditur në prag të vizitës së të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë, më 13 tetor.




















