Profesori universitar, Blerim Latifi, thotë se arrestimi i kryetarit të Istogut, Haki Rugova, është bërë për “të neutralizuar disi goditjen që mori po atë ditë prokuroria e Kosovës nga ambasada amerikane, e cila e cilësoi me termat më të rëndë sistemin e drejtësisë në Kosovë, si një sistem i shkatërruar nga ndërhyrjet politike, përcjell InLajmi.
Ai shton se “duhej arrestuar një zyrtar i lartë i partisë në pushtet që të jepej mesazhi se qëndrimi i amerikanëve është i gabuar”.
“Vetëm një politikan është dërguar në burg për çështje korrupsioni, e ai është deputeti Etem Arifi. Arsyeja pse ai nuk ishte në gjëndje t’i shmangej burgut është e qartë dhe e thjeshtë : ai është ashkali dhe i pafuqishëm për t’i shikuar shtrembër prokurorët e gjykatësit”.
Postimi i plotë i tij:
Arrestimi i befasishëm i kryetarit të Istogut nuk është i motivuar politikisht, siç thanë bashkëpartiakët e tij, në krye me Isa Mustafën. Ky arrestim është bërë për të neutralizuar disi goditjen që mori po atë ditë prokuroria e Kosovës nga ambasada amerikane, e cila e cilësoi me termat më të rëndë sistemin e drejtësisë në Kosovë, si një sistem i shkatërruar nga ndërhyrjet politike.Duhej arrestuar një zyrtar i lartë i partisë në pushtet që të jepej mesazhi se qëndrimi i amerikanëve është i gabuar. Por kjo përpjekje është krejtësisht e kotë. Statistikat kokëforta tregojnë se amerikanët kanë plotësisht të drejtë. Gjatë këtyre 20 viteve drejtësia në Kosovë nuk ia ka dalë ta dënojë me burg efektiv asnjë politikan të Kosovës për çështje korrupsioni, në kohën kur edhe lopët që kullosin në fusha e dinë se politika është burimi kryesor i korrupsionit dhe zhvatjes së parasë publike në Kosovë. Vetëm një politikan është dërguar në burg për çështje korrupsioni, e ai është deputeti Etem Arifi. Arsyeja pse ai nuk ishte në gjëndje t’i shmangej burgut është e qartë dhe e thjeshtë : ai është ashkali dhe i pafuqishëm për t’i shikuar shtrembër prokurorët e gjykatësit./InLajmi/