Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen më 12 tetor për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny dhe situatën në Bjellorusi.
I dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për rrjedhën e dialogut dhe problemet, në të cilat ka hasur deri më tani.
Ndërsa, në lidhje me helmimin e Navalnyt, Franca dhe Gjermania javën e kaluar paraqitën propozime për të vendosur sanksionet ndaj individëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij dhe ndaj një njësie të përfshirë në programin që prodhon një agjent nervor nga grupi Noviçok.
Propozimi i sanksioneve erdhi pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), më 6 tetor, konfirmoi gjetjet e laboratorëve të specializuar në Gjermani, Francë dhe Suedi se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor nga grupi Noviçok.
Gjermania dhe Franca akuzuan Rusinë për dështim në hetimin e plotë të rrethanave të helmimit të Navalnyt.
“Në këtë kontekst, ne konsiderojmë se nuk ka asnjë shpjegim tjetër të arsyeshëm për helmimin e Navalnyt, përveç një përfshirje dhe përgjegjësie ruse”, thanë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe homologu i tij, Jean-Yves Le Drian, në një deklaratë të përbashkët më 7 tetor, përcjell EO.
Është e paqartë nëse ministrat e jashtëm të BE-së do të bien dakord mbi sanksionet në këtë takim apo do ta shtyjnë vendimin për një datë të mëvonshme.