Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi është shprehur kundër idesë që një ndryshim kufijsh në baza etnike do të ishte zgjidhja për arritjen e marrëveshjes finale mes dy vendeve.
Lajçaku e ka konsideruar si ide të rrezikshme për rajonin nëse preken kufijtë.
“Duhet të gjejmë një zgjidhje evropiane dhe të përshtatshme për shekullin 21. Rajoni ka të kaluar tragjike me kufijtë e vizatuar në vija etnike. Reagimet në rajon kanë qenë tejet negative dhe ne, që qëndrojmë për vlerat dhe zgjidhjet evropiane, nuk e përkrahim. Disa besojnë që do të ishte në rregull nëse dy palët do të pajtoheshin në këtë mënyrë. Por çmimi do të ishte tejet i lartë. Ne duhet të garantojmë standardet evropiane dhe të ndihmojmë në stabilizimin e rajonit. Ndryshimi i kufijve do të ishte efekt të kundërt”, ka thënë ai në një përgjigje për “wienerzeitung”, përcjell EO.
Në këtë intervistë, Lajçaku po ashtu ka kërkuar implementimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.