Për shkak të kalorive të pakta, kjo recetë serviret si garniturë.
Më të shijshme se në këto ditë të nxehta, nuk keni për t’i gjetur në asnjë periudhë tjetër domatet. Mund të shoqëroni me to një fileto mishi të kuq ose të bardhë. Përbërësit:
● 5 domate të rrumbullakëta të pjekura, por të forta
● tuli i dy simiteve të forta (bukë e ndenjur dyditëshe)
● 1 tufë majdanoz
● 2 thelpinj hudhër
● 50g djathë kaçkavall i grirë+2 lugë të tjera
● vaj ulliri, kripë, piper
Përgatitja:
Ndezim furrën në temperaturën 180°C.
1.Lajmë domatet, i presim me thikë, u heqim tulin dhe farat me një lugë të vogël. Tulin dhe farat i kullojmë me sitë në një tas dhe ruajmë lëngun. Domatet i kthejmë përmbys mbi një tavë me letër kuzhine, që t’u thahet lëngu që ka mbetur.
2.Në një tas përziejmë bukën, të cilën e kemi thërrmuar, majdanozin dhe hudhrat të shtypura imët, lëngun e tulit të domateve, kripën, piperin, djathin kaçkavall (50g), vajin e ullirit. I përziejmë derisa masa të bëhet homogjene, shkruan recetakuzhine.net.
3.Në një tavë të veshur me letër furre vendosim domatet, i mbushim me përgatitjen e mësipërme dhe I spërkasim me dy lugë djathë. Hedhim te tava (mbi letër) 6-7 lugë ujë, e mbulojmë me letër alumini dhe e vëmë të piqet për 15 minuta. E heqim letrën e aluminit dhe e lëmë derisa të marrë ngjyrë.