Me vetëm 58 vota, koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet ka dështuar sërish ta miratoj pakon e rimëkëmbjes ekonomike, raporton InLajmi.
Votimi i këtij projektligji ka dështuar për të satën herë, meqenëse partitë opozitare nuk po e përkrahin këtë ide.
Edhe pse seanca është caktuar për të enjten, me ç’rast kjo çështje do të hidhet përsëri në votim, partitë opozitare, PDK-ja dhe LVV-ja, kanë qenë të prera se do të votojnë kundër.
Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurosh. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmohen bizneset, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit./InLajmi/