Pasi që sot kryeministri i vendit Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj kanë anluluar raportimin për të pagjeturit në Komisionin parlamentar, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, përcjell InLajmi.
Nëpërmjet një komunikate për media, Vetëvendosje shkruan se “pas trajtimit të padinjitetshëm e të turpshëm të çështjes së personave të pagjetur dhe kushtëzimin e kësaj çështje me “personat e zhvendosur”, si dhe pas refuzimit të mëhershëm të Driton Selmanajt me arsyetimin e cilësimin si temë e konsumuar dhe e ezauruar, sot, në mëngjes, Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj Stublla kanë anuluar raportimin e tyre për këtë çështje të rëndësishme e të ndjeshme para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione”.
Ata tutje shtuan se zbardhja dhe kthimi i të pagjeturve duhet të jetë detyrim për Serbinë, e cila edhe i ka të gjitha informacionet për varrezat masive të të pagjeturve.
Komunikata e plotë nga Lëvizja Vetëvendosje:
Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj anulojnë raportimin për të pagjeturit në Komisionin parlamentar
Pas trajtimit të padinjitetshëm e të turpshëm të çështjes së personave të pagjetur dhe kushtëzimin e kësaj çështje me “personat e zhvendosur”, si dhe pas refuzimit të mëhershëm të Driton Selmanajt me arsyetimin e cilësimin si temë e konsumuar dhe e ezauruar, sot, në mëngjes, Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj Stublla kanë anuluar raportimin e tyre për këtë çështje të rëndësishme e të ndjeshme para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Zbardhja dhe kthimi i të pagjeturve është domosdoshmëri dhe duhet të jetë detyrim për Serbinë. Familjet e personave të pagjetur meritojnë të kenë përgjigjen për fatin e të dashurve të tyre dhe kthimin e trupave në tokën e Kosovës. Gjetja dhe kthimi i trupave do të duhej të ishte kusht për fillimin e dialogut e kurrsesi njëra nga temat që konsiderohen si të ezauruara për të mbetur e mbyllur pa zgjidhje. Qëndrimi i këtij delegacioni ishte fyes dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës. Fyes dhe shpërfillës mbetet edhe sjellja e kësaj Qeverie. Çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve do të duhej të ishte prioriteti themelor i institucioneve si kërkesë e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar. Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale dhe për këtë çështje nuk mund të ketë kurrfarë justifikimi e kushtëzimi.
Shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve. Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhërdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës me vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e më të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet. Ndërsa, fshehja dhe heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë. Për më tepër vënja e paraleleve me të zhvendosurit, duke i konsideruar si të zhvendosur brenda vendit të larguarit nga Kosova për në Serbi prejudikon Kosovën si pjesë të Serbisë. Përkufizimi ndërkombëtar i nocionit “Persona të zhvendosur brenda vendit”, ka kuptimin e largimit të personave për arsye të ndryshme nga vendi i zakonshëm i banimit…, por që nuk kanë kaluar një kufi shtetëror të njohur ndërkombëtarisht.
Kësisoj, refuzimi i mëhershëm i Driton Selmanajt dhe refuzimi i sotëm i Avdullah Hotit dhe Meliza Haradninaj Stubllas, janë dëshmi e shpërfilljes së tyre dhe të kësaj Qeverie të fatit të personave të pagjetur. Të pagjeturit po përdoren si monedhë për kusuritje dhe kushtëzim kinse me kthimin e personave të zhvendosur./InLajmi/






















