Kreshnik Ahmeti, sekretari për marrëdhëniet e jashtme në Lëvizjen Vetëvendosje, ka folur për kërkesën e Vlora Çitakut që të kthehet në Kosovë nga misioni i saj që ka si ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ahmeti deklaroi se një ambasador nuk mund të kthehet në vend kur do ai, por se kur i mbaron afati i punës së tij.
“Z. Çitaku me një postim në Twitter edhe vet e kishte cekur se i ka pesë vite të mandatit të saj, pra në një farë mënyre edhe vet e kishte pranuar këtë. Nuk mundet një ambasador të kthehet kurdo, kjo është çështje që përcaktohet me aktet ligjore të shërbimit diplomatik”.
“Por, unë besoj se kërkesa e saj vjen si rezultat i refuzimit të presidentit që ta procesojë tutje kërkesën e ish-ministrit të jashtëm Z. Konjufca. Pra, ne kishim kërkuar që në fillim të muajit mars që këta shefa të misionit të kthehen, sepse ishin të jashtëligjshëm, por u bllokua ky si proces deri tash”.
“Në anën tjetër kthimi i vetëm Z.Çitaku , jo edhe i shefave të tjerë të misionit, tregon që këtu kemi të bëjmë me pazare politike, pra çka mund të jenë këto vetëm imagjinata mund të na e tregoj, nuk mund ta dimë. Por, sigurisht nuk janë vendime që janë për ta respektuar ligjin”.
I pyetur se a kanë informacion se Çitaku mund të nominohet për presidente të vendit dhe se nëse kjo është e vërtetë a do të votojnë pro saj, Ahmeti tha se nuk kanë informatë për këtë dhe se ata nuk bëhen pjesë e pazareve politike.
“Nuk dimë, nuk kemi informata çka po ndodh, jemi duke i qeverisur nga një qeveri që nuk është transparente. Por. ajo që e dimë është që vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, shkruan Reporteri




















