Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vazhduar të fyejë shqiptarët. Kësaj here ka zgjedhur që fyerjet t’i adresojë përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Vulin u është referuar shqiptarëve me termin fyes “Shiptari”, teksa i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në kritikën që e dha sot për të.
“Nëse Edi Rama do të kishte tru, nuk do të tentonte të krijonte ‘Shqipërinë e madhe’, të kishte mend nuk do të fotografohej pranë flamurit të ‘Shqipërisë së madhe’, e nëse do të kujdesej për qetësinë në rajon nuk do të lavdëronte vrasësit nga e ashtuquajtura UÇK dhe të tentonte të formonte qeverinë në Mal të Zi.
Po të kishte fytyrë, Rama nuk do të tentonte që në librat zyrtarë që i shtyp qeveria e tij t’o paraqiste manastiret serbe në Kosovë si trashëgimi të popullit të tij. Vetëm në botën e Twitterit dhe të memeve, Rama që më shumë e mbajmë mend për çorapet sesa për idetë, mund të ndajë leksione. Shqiptarët janë popull i ndershëm që ka dhënë Esat Pashë Toptanin dhe asnjëherë nuk do ta krahasoja me Ramën”, ka thënë Vulin, përcjell faqja zyrtare e ministrisë që ai drejton.
Rama, të shtunën përmes Twitterit reagoi duke thënë se uron që të jetë shaka ajo që tha Vulini pas mbledhjes së qeverive të Kosovës e Shqipërisë të premten në Tiranë. Vulin, ndër të tjera kishte thënë se serbët duhet të bashkohen në një shtet si kundërpërgjigje për Shqipërinë e madhe, që sipas tij po krijohet nga Rama.
Të premten, fyerje të adresë të shqiptarëve dhe kërcënim në adresë të vet serbëve bëri edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Ai kërcënoi serbët, duke thënë “se çfarë të bëjmë me serbët që ua tregojnë shqiptarëve varret e shqiptarëve nëpër Serbi”. Ndaj deklaratës së tij, pati shumë kritika.