Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar në Prizren shoqatën “Esnaf”, që përfaqëson bizneset e këtij qyteti, raporton InLajmi.
Në një takim ku të pranishëm ishin mbi 30 përfaqësues të bizneseve prizrenase, kryetari Veseli foli për gjendjen e rëndë ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi dhe për mënyrat sesi duhet të ndihmohen bizneset dhe sektori privat gjatë kësaj kohe të rëndë të pandemisë.
Veseli tha se propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës për të nxjerrë vendin nga kjo situatë e rëndë janë konkrete, por kryeneçësia e Qeverisë po bën që të rrezikoj mbijetesën e qindra bizneseve dhe vendin e punës të mijëra punëtorëve.
“Faji është tërësisht i Qeverisë e cila më tepër se gjashtë muaj nuk ka mundur ta kaloj një pako të rimëkëmbjes ekonomike. Ne nuk jemi parti e bllokadave. Përkundrazi, nga këtu, para juve të nderuar sipërmarrës, unë i bëjë ftesë edhe njëherë qeverisë që të takoj Odat Ekonomike dhe të marrë parasysh propozimet e opozitës. Nëse në vikend do të kemi një takim, të hënën ne mund ta votojmë pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Vetëm duhet bashkëpunim, për hir të vendit dhe për hir të qytetarëve të Kosovës. “, ka thënë kryetari Veseli.
Mes tjerash, kryetari Veseli ka folur edhe për trustin pensional dhe mundësinë që qytetarët të tërheqin paratë e tyre nga ai fond.
“Qeveria ka manipuluar me ndjenjat e qytetarëve, veçanërisht shtresës më të varfër, duke futur tërheqjen e parave nga trusti në një pako tjetër të gjerë nga e cila nuk përfiton askush. Ne kemi propozuar që të bëjmë ndryshimet e nevojshme në ligjin për fondet pensionale dhe përveç që të rimbursojmë paratë e tërhequra brenda një periudhë pesë vjeçare, të kategorizojmë shtresat e qytetarëve, ku shtresa më ulët do të mund të tërhiqte deri në 20 për qind të kursimeve të tyre“, ka shtuar ai.
Kryetari i Shoqatës “Esnaf”, Varis Xhejlani, falënderoi kryetarin Veseli për mbështetjen e tij të madhe dhe propozimet konkrete se si t’u dilet në ndihmë bizneseve në këtë kohë të vështirë të pandemisë.
Ai tha se bizneset janë në një situatë të vështirë dhe kërkoi nga qeveria dhe institucionet që të jenë bashkëpunues me të gjithë aktorët politik në mënyrë që ndihma për ndërmarrësit të jetë sa më e shpejtë dhe sa më e madhe./InLajmi/