Turqia ka fuqizuar të enjten rregullat e reja kufizuese për platformat e mediave sociale, duke u kërkuar që të hapin zyra përfaqësimi në vend, ose ndryshe mund të përballen me ndëshkime financiare.
Masat përfshijnë edhe dënime për platformat sociale që dështojnë t’i shlyejnë postimet me përmbajtje fyese.
Legjislacioni ishte pauzuar nga Parlamenti në korrik me mbështetje të partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, dhe partisë aleate në pushtet, Partisë së Lëvizjes Nacionaliste.
Sipas rregullave të reja, platformat me më shumë se një milion përdorues në ditë duhet të hapin zyra komerciale në Turqi me qëllim të zbatimit të vendimeve të gjykatave lokale për heqjen e përmbajtjes së kontestuar brenda 48 orëve.
Në rast se nuk bashkëpunojnë, kompanitë mund të përballen me kufizime reklamimi, me gjoba deri në 40 milionë lira turke (rreth pesë milionë dollarë amerikanë) dhe me kufizim të rreth 90 për qind të veprimtarisë, që do të destabilizonin dhe vështirësonin qasjen në platformat sociale.
Iain Levine, zyrtar i të drejtave të njeriut i “Facebookut”, ka postuar më 28 shtator një shkrim, në të ka vlerësuar se legjislacioni i ri “ngreh shqetësime për të drejtat e njeriut”.
Emma Sinclair-Web, drejtoreshë për Turqi e “Human Rights Watch”, ka përshkruar legjislacionin si “drakonik”, dhe ka bërë thirrje që gjigantët e mediave sociale të mos e respektojnë. Ajo ka vlerësuar se platformat duhet të shmangin shembullin, siç e ka quajtur, të tmerrshëm “dhe të mos e respektojnë dhe se autoritetet e Turqisë duhet të sprapsen”, transmeton KOHA.
Megjithatë, partia e Erdoganit ka hedhur poshtë kritikat për legjislacionin, me pretendimin se masat e reja nuk kërcënojnë liritë elementare.