Partia Demokratike e Kosovës nuk do t’i bashkohet Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, ndonëse një gjë e tillë është përfolur kohët e fundit vazhdimisht.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në një intervistë për Ekonomia Online, ka konfirmuar se kjo parti nuk do t’i bashkohen koalicionit qeverisës.
Madje ajo thotë se në këtë fazë të vështirë për qytetarët vazhdimisht janë në terren
“Nuk do t’i bashkohemi koalicionit qeverisës. Ne jemi gjatë gjithë kohës në teren dhe kryetari Veseli, strukturat e rinisë dhe partisë në të gjitha nivelet janë në teren me qytetarët e Kosovës dhe po angazhohemi që të forcojmë sepse kjo fazë e rëndë e pandemisë ka kërkuar një vëmendje më të shtuar te qytetarët dhe kemi çdo ditë kërkesa të tyre për tu takuar dhe ne duhet të jemi në teren pranë tyre për t’i përfaqësuar ata në Kuvend”.
Sipas saj, mocioni i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë nuk ka qenë serioz, duke theksuar se sapo të sigurohet 40 nënshkrime PDK-ja do veprojë brenda Kuvendit.
Deliu-Kodra tha se me ligjet në fuqi nëse mocioni dështon, do t’i shtohen edhe tre muaj jetëgjatësi kësaj Qeverie.