Shumë shtetas zviceranë ia kanë mësyrë Kosovës për pushime këtë të diel.
Krejt kjo ka ardhur pas vendimit të Zvicrës që Kosovën ta largojë nga lista e zezë e rrezikut nga koronavirusi dhe pas heqjes së karantinimit për qytetarët që kthehen në shtetin zviceran.
Ata thonë se ndonëse kanë shpresuar që do të hiqen këto masa, numri i madh i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë ka bërë që ata të mos e besojnë shumë lirimin e këtyre masave.
E disa prej tyre thonë se kanë pritur deri tash që të mund t’i vizitojnë familjet e tyre në Kosovë.
Ndërsa ka pasur edhe të atillë që kanë planifikuar pushimet t’i kalojnë diku tjetër, por me heqjen e kësaj mase nga Zvicra ata kanë vendosur që të vijnë në Kosovë.
Ndonëse zyrtarë të ANP-së nuk kanë kthyer përgjigje rreth numrit të udhëtarëve që ka pasur nga ky shtet , ne ueb-faqen e Aeroportit bëhet e ditur që rreth 7 fluturime janë realizuar nga Zvicra për në Kosovë vetëm gjatë kësaj të diele, raporton KOHA.
Për shkak të numrit të madh të rasteve pozitive me Covid-19, Zvicra e kishte futur Kosovën në listë për karantinimin nga data 6 korrik.