Partia e Albin Kurtit dhe ajo e Isa Mustafës nuk e kanë thënë asnjë fjalë për arrestimet e dy udhëheqësve të Shoqatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Para disa ditësh, ish-Kryeministri Kurti akuzoi Presidentin se po prodhon filma të lodhur me spektaklin e dosjeve të Speciales.
Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja e Albin Kurtit, nuk e ka thënë asnjë fjalë për aksionin e Gjykatës Speciale në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ku u arrestuan Hyseni Gucati e Nasim Haradinaj.
Nuk ka reaguar as Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili ka qenë pasluftës Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e përkohshme të pasluftës.
Sikurse Vetëvendosje ka vepruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partia kryesore që ka formuar Qeverinë e fundit. Asnjë fjalë s’e ka thënë as Kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se s’jep komente për çështje të drejtësisë.
Zyrtarët e AAK-së, PDK-së dhe NISMA-s kanë reaguar pas aksionit të fundit të Speciales, e cila prangosi zyrtarët veteranëve.
Gjykata Speciale nisi arrestimet e para në Kosovë duke prangosur deri tash tre ish-zyrtarë të UÇK-së. I pari ishte Salhi Mustafa, Shef i Njësisë BIA të UÇK-së, me akuzën se ka vrarë gjashtë persona gjatë luftës, percjell Ballkani.info.
OVL e UÇK’së u përfshi në publikimin e dosjeve të ardhura nga Specialja. Këto dokumente janë shpërndarë edhe nëpër disa media, kryesisht nga Shqipëria, nisën të publikonin këto dokumente. Aty, jepeshin detaje për pretendimet e Prokurorisë lidhur me krimet e pretenduara gjatë luftës.