Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e vlerëson të suksesshëm aksionin e Policisë së Kosovës në Karaçevë, e quan të domosdoshëm.
Ai i është kundërpërgjigjur Albin Kurtit i cili tha se krimi u kap për bishti, pasi koka sipas tij mund të jetë në Prishtinë. Mustafa thotë se është koha të vlerësohen veprimet, jo deklaratat shterpe
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, po vlerëson se aksioni i policisë në Karaçevë ka goditur në kokë krimin e organizuar. Ka thënë se me këtë aksion janë zvogëluar kokat e krimit.
Në këtë formë, Mustafa e ka përshkruar aksionin e Policisë dhe Prokurorisë që goditën një rrjet të krimit në kufi me Serbinë ku luheshin lojëra të fatit në mënyrë ilegale.
“Vlerësoj se aksioni ka qenë i domosdoshëm dhe i suksesshëm. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të përkrahet nga të gjithë. Dikush mund të krijojë figura të bishtit dhe kokës, por e vërteta është se lufta e çdo krimi është luftë e kokës ose një kokë më pak e krimit”, ka deklaruar kreu i LDK-së, , përcjell Reporteri.
Reagimi i Mustafës vjen një ditë pasi ish-Kryeministri Albin Kurti tha se goditja e krimit në kufi me Serbinë nuk është goditje e krimit në kokë.