Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, dhe Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e veçantë në kuadër të Marrëveshjes Financiare lidhur me Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, përcjell InLajmi.
Marrëveshja e veçantë mundëson realizimin e Projektit për Fuqizimin e Sektorit Financiar i cili financohet përmes huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, anëtar i Bankës Botërore.
Projekti për Fuqizimin e Sektorit Financiar synon të përmirësojë qasjen në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme duke përfshirë segmente specifike dhe sektorë që kanë rëndësi strategjike duke mbështetur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së Kosovës, si dhe synon t`i avancojë kapacitetet financiare dhe teknike të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore përmes sigurimit të asistencës teknike.
Këto mjete do të komplementojnë përpjekjet dhe masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike dhe luftimin e efekteve negative të shkaktuara nga COVID – 19 në ekonominë vendore./InLajmi/