Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti raportoi sot në Kuvend, para deputetëve lidhur me dialogun me Serbinë, ku tha se ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke, raporton InLajmi.
Ai ka thënë se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Kryeministri Hoti ka thënë se udhërrëfyes për dialogun është Kushtetuta e Kosovës.
“Integriteti territorial është i panegociueshëm, dhe nuk është shtruar si çështje para meje, organizimi Kushtetues i Kosovës nuk bënë të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë.
Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse Kushtetuta është instrumenti i vetëm që na mundëson zhvillimin e këtij procesi dhe nënshkrimin eventual të marrëveshjes përfundimtare”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se në këtë fazë janë duke bërë draftim të elementeve të caktuara të marrëveshjes për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë./InLajmi/