Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Shqipëri është rritur gjithsej në 11.520 që nga fillimi i pandemisë dhe numri i të vdekurve në 338
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 167 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 4 persona kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke iu referuar të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Shqipëri është rritur gjithsej në 11.520 që nga fillimi i pandemisë dhe numri i të vdekurve në 338.
Në orët e fundit janë shëruar 46 pacientë, duke e rritur numrin e të shëruarve në 6.615, ndërkohë raste aktive janë 4.567.
Sipas ministrisë, situata ne spitale paraqitet e qëndrueshme dhe aktualisht në spitalet në Tiranë po trajtohen 179 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.
“Nisja e vitit të ri shkollor është një sfidë për strukturat arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë në gatishmëri, por kërkohet kontributi dhe bashkëpunimi i nxënësve e prindërve, mësuesve, për të zbatuar rregullat e vendosura dhe për të sinjalizuar në kohë çdo rast të dyshuar, për të frenuar përhapjen e COVID19”, theksohet në njoftimin e ministrisë.
Kujtojmë se sot institucionet arsimore të sistemit parauniversitar për vitin e ri shkollor 2020-2021 kanë hapur dyert për nxënësit sipas masave të përcaktuara për mbrojtjen ndaj pandemisë së COVID-19.
Në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 74.766 testime për personat e dyshuar me koronavirus.