Ishte pothuajse e kryer. Lionel Messi e kishte vendosur që të largohet nga Barcelona, por gjërat kanë ndryshuar dhe 33-vjeçari mund të qëndrojë për të paktën edhe një sezon në ‘Camp Nou’.
Duket se ka ndryshuar rrënjësisht situata e Lionel Messit.
Sipas mediave në Spanjë, 33-vjeçari, që ditë më parë insistonte të largohet nga Barcelona, do të qëndrojë të paktën deri në qershor të vitit 2021.
Por çfarë ndodhi, përse ky ndryshim i menjëhershëm i Leos? Meritore është Josep Maria Bartomeu, numri një i Barcelonës, i cili ka insistuar që një legjendë si Messi të mos largohet në këtë mënyrë se si argjentinasi dëshironte.
Bartomeu është takuar të mërkurën dhe të enjten me babain e lojtarit dhe JUGONES ka zbuluar në mënyrë ekskluzive një pjesë të bisedës mes tyre nga burime të sigurta, çka edhe e shtyri Leon të ndryshojë mendim, por ende nuk është asgjë zyrtare.
Fillimisht, Josep Pedrerol, gazetari që mësoi nga burime të sigurta, thotë se Jorge në takimin e parë i kishte thënë Bartomeus: “Djali im dëshiron të largohet, dëshiron të ndërrojë ambient, dëshiron një jetë të re”, duke i cituar fjalët e 33-vjeçarit: “ka përfunduar epoka ime në Barcelonë”.
Pedrerol gjithashtu zbuloi se si Jorge i ka thënë Bartomeus se ka përfunduar gjithçka tashmë dhe i ka kërkuar që ta lë djalin e tij të largohet, por presidenti i Barcelonës i është përgjigjur: “Nuk mundem sepse ka kontratë. Djali juaj nuk mund ta përfundojë karrierën në Barcelonë në këtë mënyrë. Nëse dëshiron të largohet atëherë le ta bëjë pas një viti, por të qëndrojë edhe këtë vit që të përshëndetet me të gjithë ndeshje pas ndeshje”.
“Të kërkoj që të qëndrojë edhe një vit, unë s’mund të të shes, nuk mund të të shes”, ishin disa fjalë të tjera të Bartomesu, drejtues Jorge Messit, që më pas do t’ia përcillte djalit të tij.