Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë arritur në Shtëpinë e Bardhë.
Para nisjes, Hoti tha se pritjet i ka pozitive bazuar nga takimet që ka zhvilluar deri tani në SHBA, ndërkohë që presidenti serb e pranoi se se do të jetë një takim i vështirë, por tha se Serbia nuk do të dorëzohet.
Pak pas arritjes në Shtëpinë e Bardhë, mediat serbe shkruajnë se presidentit serb i është vendosur në tavolinë njohja e Kosovës.
B92 shkruan se Vuçiq tashmë ka para vetes letrën për njohjen e Kosovës.
Ministri i Financave, Siniša Mali, deklaroi se ka një letër në tryezë në takimin në Shtëpinë e Bardhë, një pikë e së cilës nënkupton njohjen e ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës, dhe se ekziston një presion i madh ndaj Presidentit Vuçiq.
“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli.
“Deri më tash, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë, shkruan Reporteri.
Kujtojmë se presidenti serb vazhdimisht, e edhe sot ka deklaruar se nuk do të ketë njohje reciproke dhe se Serbia do të qëndrojë në këtë pozicion.