Ish-ministrja për dialog Edita Tahiri, ka deklaruar se kryeministri Avdullah Hoti, i ka ofruar pozitën si koordinatore e dialogut, para se të emëronte Skënder Hysenin në këtë rol.
“Kryeministri më ka ofruar të jem koordinatore e dialogut, kjo para se të zgjidhej Skënder Hyseni në këtë pozitë, por këtë e kam kundërshtuar, sepse kam dashur që kjo të bëhet me aprovimin e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të kem legjitimitet dhe kompetenca të qarta për këtë”, tha Tahiri në RTK.
Sipas saj, sado që po flitet për marrëveshje ekonomike do të ketë edhe marrëveshje politike. Delegacioni i Kosovës duhet ta ketë të qartë që marrëveshjet ekonomike të arrihen si marrëveshje në mes dy shteteve.
“Delegacioni nuk ka mandat që të nënshkruajë diçka që cenon shtetësinë e Kosovës, jam i bindur se do të bëhen hapa pozitivë në këtë takim, në Uashington”, u shpreh Tahiri, duke shtuar se Serbisë duhet t’i bëhet e qartë që nuk ka anëtarësim në BE pa e njohur Kosovën.