Të gjithë lojtarët dhe i tërë stafi i Kombëtares së Kosovës kanë rezultuar negativë në testimin për koronavirus, para nisjes për në Itali, për takimin hapës kundër Moldavisë në Ligën e Kombeve.
Ekipi kombëtar i Kosovës do të udhëtojë sot drejt Italisë, para takimit të nesërm (enjte) në Parma kundër Moldavisë në Ligën C të Ligës së Kombeve
Federata e Futbollit e Kosovës njofton se ekipi dhe stafi i saj i kanë kryer testet për Covid-19 dje në laboratorin e licencuar nga UEFA dhe të gjitha rezultatet i janë kthyer negative, raporton Gazeta Express.
“Futbollistët dhe stafi i Kombëtares, por edhe zyrtarët e FFK-së që do të udhëtojnë në Itali i kanë kryer testet PCR në laboratorin e licencuar të UEFA-s dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ në Covid-19. Kësisoj, ekspedita e Dardanëve sot do të udhëtojë e kompletuar për në Parma të Italisë”, thuhet në një njoftim të FFK-së.