Qytetarët e Kosovës për të pasur të drejtë që ta regjistrojnë automjetin e tyre janë të kushtëzuar që t’i paguajnë shpenzimet komunale dhe gjobat në trafik.
Në Kosovë llogaritet të jenë të paregjistruara 148 mijë automjete, kurse vetëm në bazë të pagesave komunale me rastin e ndërrimit të pronësisë së automjeteve llogaritet që qytetarëve të Kosovës kjo do t’u kushtojë miliona euro. Këto kushtëzime janë kundërshtuar nga kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku dhe kryetari i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (ShSK), Sami Mazreku
Qytetarët e Kosovës para se t’i regjistrojnë automjetet janë të detyruar që t’i paguajnë shpenzimet komunale, si pagesën e tatimit në pronë, taksën e rrugës për regjistrimin e veturave, pagesën për mbeturina si dhe gjobat e trafikut. E tëra kjo në bazë të udhëzimeve administrative të nxjerra, si ai i tatimit në pronë dhe Udhëzimit Administrativ nr. 01/2018 për regjistrimin e mjeteve, i nxjerr nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Për ta paguar taksën rrugore, prej vitit 2011, bazuar në Udhëzimin Administrativ të tatimit në pronë, qytetarët e Kosovës duhet ta paguajnë tatimin në pronë në mënyrë që ta kenë mundësinë ta paguajnë taksën rrugore.
Përpos pagesave komunale, në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2018 për regjistrimin e mjeteve, qytetarët e Kosovës për ti’ regjistruar mjetet e tyre motorike janë të obliguar që t’i shlyejnë edhe gjobat e kundërvajtjes, siç specifikohet në nenin 34, paragrafin dy të këtij udhëzimi: “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”. Mirëpo, përkundër faktit që Avokati i Popullit ka dhënë këtë rekomandim në vitin 2018, akoma s’është marrë ndonjë iniciativë ligjore.
Lidhur me këtë detyrim, në raportin me rekomandime sipas “ex officio”, rasti nr. 376/ 2008, Avokati i Popullit ka rekomanduar që të hiqet ky nen, por deri më tani nuk është bërë një gjë e tillë. “Në bazë të këtyre konstatimeve dhe në përputhje me nenin 135, paragrafin 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 05/ L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit rekomandon që Kuvendi në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës: ta ndryshojë Ligjin Nr. 05/ L-019 për Automjete, përkatësisht ta fshijë nenin 43, paragrafin dy të tij”, është thënë në rekomandimin e Avokatit të Popullit të vitit 2018.