Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në takimin e 2 shtatorit në Uashington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj, thotë se duhet të shfrytëzohet vëmendja që po ia jep SHBA-ja zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj gjithashtu tregon për pretendimet e tij për t’u bërë president i vendit si dhe flet për mundësinë e zgjerimit të koalicionit aktual qeverisës.
Sipas tij, me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet varësia nga Lista Serbe.
“Kam qenë insistues që të kërkohet kthimi i Uashingtonit në temë në çështjen e dialogut. Ne e kemi parë një ndihmesë në të kaluarën nga BE-ja dhe e kemi mirëpritur këtë ndihmesë të BE-së, por edhe të vendeve veç e veç, si të Gjermanisë, Francës, kancelares (gjermane, Angela) Merkel dhe presidentit (francez, Emmanuel) Macron.
“BE-ja na i zbehu shpresat”
“Mirëpo, po ashtu ne e kuptuam që BE-ja e delegoi çështjen e dialogut në nivel të BE-së, në këtë rast te zoti (përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep) Borrell dhe zoti (i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçak.
Të dy janë jonjohës, vijnë nga vende jonjohëse (të pavarësisë së Kosovës). Me këtë, BE-ja në një mënyrë na e zbehu shpresën për suksesin e pritur, pra për nevojën e një rezultati final në procesin e stërzgjatur të dialogut. Duke parë këtë gjendje, ne e kemi kuptuar drejt se shpresa tash na ka mbetur vetëm në Uashington. Ne çdoherë kemi pasur besim në Uashington, por kemi shpresuar që edhe BE-ja do të investojë më shumë në këtë proces, duke u kyçur direkt kryeqytetet kryesore si Berlini, me ndonjë zyrtar të lartë të tij ose edhe Franca dhe të tjerët.