Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj dhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj kanë qëndruar në Prizren ku janë takuar me kryetarin e kësaj komune Mytaher Haskuka, ku këta të fundit kanë ofruar përkrahje nga qeveria për Spitalin Regjional të Prizrenit, përcjell InLajmi.
Këtë njoftim e bëri Balaj-Halimaj në rrjetin social facebook ku tha se ka shprehur mirënjohjen për të gjithë mantelbardhët jo vetëm në Prizren, por në të gjithë vendin në betejën kundër koronavirusit.
Postimi i plotë i saj:
Sot, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, vizituam Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, QKMF-në në Prizren, Spitalin Regjional dhe Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike të këtij qyteti për të parë nga afër punën që po bëjnë mantelbardhët në luftimin dhe parandalimin e COVID-19.
Bashkë me ministrin Zemaj ofruam përkrahjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për këto institucione shëndetësore në Prizren dhe ditët në vijim, ne do të ulemi dhe do të diskutojmë për gjetjen e një formule të përbashkët për t’i dalur në ndihmë QKMF-së dhe Spitalit Regjional të këtij qyteti me mjete shtesë të cilat ata i konsiderojnë si të domosdoshme.
Shpreha mirënjohjen time për të gjithë mantelbardhët jo vetëm në Prizren, por në të gjithë vendin në betejën kundër koronavirusit.
Mbani maskën, ruani distancen sepse në këtë formë ruajmë vetën dhe të tjerët. /InLajmi/