Me të nisur seanca e re, ka pasur përplasje mes VV-së dhe LDK-së në lidhje me hyrjen e forcave serbe në territorin e Kosovës në Karaçevë.
Debati nisi kur deputeti i VV-së, Artan Abrashi, akuzoi qeverinë se nuk ka reaguar me seriozitet për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë.
Ai akuzoi qeverinë Hoti, konkretisht ministrinë e Punëve të Brendshme se është treguar e ngathët në sigurimin e sovranitetit të vendit.
E i menjëhershëm ishte reagimi nga LDK. Shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, tha se kjo çështje nuk duhet të trajtohet në këtë formë, pasi që gjëra të tilla kishin ndodhur edhe gjatë qeverisjes së shkurtë të Kurtit.
“Kemi histori secili pas vete. Qoftë ajo histori e shkurtë, apo e gjatë e disa dekada angazhim. Mendoj që kjo nuk është gjuha se si trajtohet kjo çështje. Mendoj që është e dijshme se cilat janë raportet tona me NATO-n dhe KFOR-in. Por, kjo nuk është gjuha se sillen këto probleme, sepse do t’i binte të flisnim se si ndodhi takimi në Kopaonik gjatë qeverisjes Kurti, si erdhën testet nga Serbia, si erdhën 200 mjekë nga Serbia. E dijmë që kjo hyrje e forcave serbe është bërë në bashkëpunim me NATO-n. Unë ndajë shqetësimin e njëjtë me ju, për hyrjen e forcave serbe në territorin e Kosovës”, u shpreh Gashi, i cili kërkoi po ashtu që opozita të jetë bashkëpunuese në këtë aspekt.
Në debat u përfshi edhe PDK. Deputetja e këtij subjekti, Ganimete Musliu, tha se është i çuditshëm fakti se si pas cënimit të sovranitetit, nuk është mbledhur Këshilli i Sigurisë.
“Hyrja e xhandarmërisë serbe është kërcënim për qytetarët e Karaçevës. PDK e sheh edhe më shqetësuese se qeveria dhe institucionet nuk e kanë prishur fare komoditetin e tyre dhe e kanë kaluar në heshtje këtë provokim të Serbisë. Reagimet nuk janë aspak profesionale, dhe të një niveli që nuk do të duhej të ishin. Nëse Këshilli i Sigurisë nuk mblidhet kur cënohet territori, atëherë pse ekziston ky Këshill”, tha Musliu.