Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit ish-kryeministër i Kosovës, ka nderuar me homazhe veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçin, tek hapësira ku ai kishte ushtruar veprimtarinë e përfaqësuesit politik të UÇK-së.
Kjo me rastin e 22 vjetorit të Demaçit, që kur kishte pranuar atë detyrë.
”22 vite më parë Adem Demaçi mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së.
Idealisti i moçëm, i cili kishte kaluar tre dekada në burgjet e pushtuesve të kombit të tij, u bashkua me idealistët e rinj, që kishin nisur luftën e armatosur për çlirim. Ideali ishte i njëjti, ai i bashkimit të shqiptarëve, jo për të dalë mbi të tjerët, por për t’u bërë të barabartë me ta. Jo për hakmarrje, por për drejtësi. Jo për inat, por për t’i hapur rrugë bashkëpunimit mes popujve fqinjë. Nuk ka paqe e zhvillim të Ballkanit nëse popujt nuk ia njohin lirinë e barazinë njëri-tjetrit.
Adem Demaçi i dha emër ndërkombëtarisht UÇK-së. Ai ishte i vlerësuar me çmimin prestigjioz evropian Sakharov, dhe ishte fytyra e gjallë politike e padrejtësive serbe ndaj shqiptarëve. Ndërsa UÇK-ja i dha Adem Demaçit substancë. Ajo ishte realizim i vonë i përpjekjes së tij të kahershme.
Me mish e me shpirt Adem Demaçi punoi, hapi zyrën në Prishtinë pa u trembur nga okupatorët mizor, dhe nuk u ndal as në ditën më të zezë. Ai nuk trembej, se punonte me drejtësi, njofton Klan Kosova.
Do t’i kujtoj gjithnjë si të pandarë bacën Adem dhe UÇK-në, sepse përpjekja e popullit tonë për liri, qoftë në ilegalen para luftës apo me armë në dorë gjatë luftës, janë frymëzim për një politikë që nuk shitet e nuk blihet, që nuk koritet e çnderohet, as sot e as nesër. Por që punon pa u ndalur, me vetësakrifikim, për realizimin e projekteve e premtimeve, për avancimin tonë kolektiv, për drejtësinë e lirinë, zhvillimin e paqen”.