Presidenti i vendit Hashim Thaçi, vazhdon të mos i respektojë rregullat e miratuara nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit.
Sonte ai ka publikuar një fotografi gjatë një vizite që i ka bërë një ish-pjesëtari të UÇK-së në një odë ku janë mbledhur shumë njerëz të cilët nuk mbajnë distancë dhe as maska. Por vendimi i Qeverisë thotë se nuk duhet të mblidhen më shumë se pesë persona.
Gjatë kësaj vizite ai është shoqëruar nga Sami Lushtaku, anëtar i Kryesisë së PDK-së.
“Sonte, në familjen e bashkëluftëtarit të orëve të para të UÇK-së, Hajrë Gashi, në Rezallë. Hajra e ka ndërtuar topin e parë në mënyrë artizanale gjatë luftës, që ne e quanim “Topi i Rezallës”. Ai, djemtë e tij dhe gjithë Drenica, kanë dhënë kontribut të madh në luftën tonë çlirimtare! HTH”, ka shkruar Thaçi në fotografinë e publikuar në Facebook.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës në vazhdimësi ka bërë thirrje që të mos bëhen vizita.
Por, kjo nuk është hera e parë që presidenti Thaçi shkelë rregullat e Qeverisë kundër pandemisë. Ai në shumicën e paraqitjeve të tij ka dalë pa maskë mbrojtëse. Maskën ai filloi ta vendosë së fundmi pasi mori shumë kritika.