Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci, e ka quajtur hipokrizi sjelljen e disa deputetëve në lidhje me nismën e partisë së saj për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti, përcjell InLajmi.
Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se disa deputetë e parti parlamentare po e kritikojnë Qeverinë Hoti, por nuk po e firmosin nismën për mocionin.
VV-së i duhen 40 nëshkrime për të dërguar mocionin e mosbesimit në Kuvend, por aktualisht i ka vetëm 31.
Postimi i plotë i saj:
“Hipokrizi është të deklarosh diçka e të veprosh diçka tjetër. Grupi parlamentar i Lëvizjes ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, sepse beson se janë të shumta argumentet që e dëshmojnë se kjo qeveri është e papërgjegjshme dhe e paaftë. Vendit i duhen institucione të legjitimuara, me udhëheqës të ndershëm, të besueshëm e profesionist. Partitë dhe përfaqësuesit e tyre që bëjnë kritika për keqqeverisje dhe keqmenaxhim të Qeverisë Hoti, i ftojmë të nënshkruajnë kërkesën për mocion dhe pastaj ta votojnë atë. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të paktën le të na kursejnë nga deklarata e paraqitje joserioze e të pasinqerta në Kuvend, konferenca e studio televiziv /InLajmi/