Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini është shprehur i pikëlluar për vdekjen e doktor Kujtim Zararit, si pasojë e koronavirusit, përcjell InLajmi.
Gjini përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se Kujtim Zarari ishte një doktor i ndershëm dhe i palodhur, i cili na shërbeu gjatë tërë jetës së tij.
Ai poashtu u shprehi ngushëllime familjes Zarari, miqëve dhe kolegëve të të ndjerit.
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar qytetarë,
Jemi thellësisht të pikëlluar me lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Kujtim Zarari, njëkohësisht Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë. Një doktor i ndershëm dhe i palodhur, i cili na shërbeu gjatë tërë jetës së tij. Humbje e madhe për sistemin shëndetësor dhe për të gjithë ne, e cila urojmë të jetë e fundit!
Përpjekjet e stafit shëndetësor, për kolegun e tyre ishin të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht Dr. Kujtim Zarari humbi betejën kundër COVID-19.
Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zarari, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.
Qytetarë të dashur, edhe një herë, ju lusim për kujdes të shtuar. Respektoni të gjitha rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve për parandalimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm. Të ruajmë jetën tonë dhe atë të më të dashurve tanë.
Nderim i përhershëm për Dr. Kujtim Zarari!/InLajmi/