3 anesteziologë e kanë lëshuar punën të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.
Ai tha se rritja e numrit të të sëmurëve me COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi), e ka vështirësuar punën brenda klinikave ku po trajtohen këta pacientë.
“Anesteziologë nuk kemi mjaftueshëm, vetëm nëse të gjitha shërbimet mbyllen, pra nuk punohen operacionet e tumoreve e sëmundjeve tjera urgjente, dhe merremi vetëm me COVID-19. Tre kolegë dje e kanë lëshuar punën. Ne jemi shumë keq me resurse njerëzore. Nuk kanë mundur ta përballojnë çdo të tretën ditë kujdestari, dhe ritmi i punës është i vështirë. Normalisht ata kanë oferta në spitale private me pagë deri në katër mijë euro, derisa këtu paga mujore është rreth 600 euro”, tha Baftiu.
Anesteziologët, ndër të tjera, u mundësojnë pacientëve mbështetje me oksigjen dhe terapi me oksigjen, mbështetje me ventilatorë me aparate me të gjitha opsionet për ventilim mekanik, terapi respiratore, monitorim të tërësishëm invaziv dhe jo-invaziv të pacientëve, etj.
Pacientët me COVID-19, që janë në gjendje më të rënduar shëndetësore, kanë nevojë për trajtim me oksigjen.
Njëri nga anesteziologët që e ka lëshuar punën është Ardian Hoti. Ai tha se ka vendosur ta lëshojë punën në sektor publik për shkak se ka marrë ofertë nga një spital privat në Prishtinë, me kushte të punës dhe pagë më të mirë.
Por, ai tha se obligimin e tij moral dhe profesional e ka kryer, pasi që ka punuar në vazhdimësi me pacientë me COVID-19 derisa ka qenë i punësuar në QKUK.