Sot bëhen dy vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri ndërroi jetë më 26 korrik 2018, në moshën 82 vjeçare.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë, ku edhe pasi u lirua menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007), transmeton Klan Kosova.

Kujtojmë se në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë.