Ish-Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar Adem Demaçin në dyvjetorin e vdekjes, duke thënë se ai kurrë nuk u dorëzua përballë Titistëve, Rankoviqëve dhe Millosheviqëve, përcjell InLajmi.
Në kohën kur jetuan, Josip Broz Tito dhe Aleksander Rankoviqi, Adem Demaçi ishte burgosur duke mbajtur burg gati tri dekada pse kërkonte bashkim kombëtar me Shqipërinë.
Albin Kurti dikur ishte Zëdhënës i Demaçit, dhe ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se Demaçi ishte frymëzim i tij.
Postimi i plotë i tij:
Sot u bënë dy vjet pa Bacën Adem. Ai është ndër personat më frymëzues e formësues për mua e për Lëvizjen tonë.

Adem Demaçi i përjetoi tri jugosllavitë dhe hyri tre herë në burg. 28 vjet gjithsej i kaloi si i burgosur politik. Kur e liruan në prill 1990, tha se po del nga burgu i vogël në burgun e madh. Vazhdoi veprimtarinë politike pa pushim e kursim për veten.
Kurrë nuk u step prej frikës, kurrë nuk u mposht prej dhimbjes, kurrë nuk u ligështua prej trysnisë. Me thjeshtësi e qartësi të madhe intelektuale, me lakonizmin karakteristik, ai gjithnjë thoshte të vërteta therëse. Kjo cilësi iu njoh e iu vlerësua edhe nga Parlamenti Evropian, që i akordoi Adem Demaçit çmimin prestigjioz «Saharov» për lirinë e të menduarit.
Shkroi, tha e bëri aq shumë gjëra me peshë të rëndë politike, shoqërore e letrare, ndonëse tentativat për ta kufizuar, penguar e censuruar kurrë nuk munguan. Përballë Rankoviqëve, Titoistëve e Millosheviqëve, ky njeri shpirtmadh e mendjefortë, foli e tha të vërtetën universale të lirisë. E tha për popullin shqiptar, sepse këtij populli i ra për hise, falë zotit, një vigan i tillë.
Sot, kur mendojmë, mendojmë edhe a thua çka do të mendonte ai. Prandaj, kur veprojmë, veprojmë sikur edhe ai të ishte me neve./InLajmi/