Me mbyllje të lokaleve dhe aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, Shoqata e Gastronomeve, do t’i shprehin pakënaqësitë e tyre në lidhje me kufizimet që iu pamundësohet puna nëpër kafiteri, raporton InLajmi.
Ndonëse Qeveria ka vazhduar me shtrëngimin e masave, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi po konsideron se asnjë lehtësim nuk e ka bërë qeveria për bizneset.
Tutje, ai tha se humbjet sa i përket bizneseve janë shumë të mëdha, duke shtuar se qarkullimi në Gastronomi ka qenë rreth 350 milionë.
Sipas tij, rreth 14 mijë punëtorë janë të paraqitur në Gastronomi dhe të njëjtën kohë janë 4 mijë biznese.
Ai përmendi edhe tri masat që janë vendosur nga Qeveria sa i përket kufizimit të lëvizjes, ruajtjes së distancës dhe kryerjes së punëve brenda lokalit.
“Në tri masat që janë vendosur nga Qeveria, një është kufizimi i lëvizjes, e dyta është mos kryerja e punës brenda lokalit dhe e treta është ruajtja e distancës mes tavolinave. Ne e dimë se sa kanë hapësirë të gjitha lokalet. 50% janë nga hyrat. Në bazë të gjitha mbledhjeve jemi duke vepruar me 10 deri 15 për qind, i cili ka rënë për 85 për qind. Mirëpo shpenzimet janë shumë të mëdha sepse qiraja ka vazhduar, uji, rryma, punëtorët është dashur ti paguajmë”, shtoi ai.
Kllokoqi theksoi se me hapjen e kafiterive, nuk janë respektuar masat sa duhet nëpër disa lokale, por që thotë se restorantet i kanë respektuar.
Ai shtoi se për gastronomet manuali i Qeverisë ka qenë i pakuptimtë, sepse qysh në fillim, kanë thënë se duhet të krijohet distancë ndërmjet njëri-tjetrit 8 metra.
Mes tjerash, ai tha se rreth 26 lokale në Prishtinë janë në përmbyllje dhe nëse vazhdohet kështu do të mbyllen edhe kafiteritë tjera.
Kllokoqi tha se kanë pasur problem edhe me Qeverinë e kaluar.
Ai shtoi se aksionet e tyre simbolike janë për të treguar sa të organizuar janë, sa numër i madh janë dhe se janë kontribuuesit më të mëdhenjtë të ekonomisë.
Kllokoqi në fund tha se ky është aksioni i parë simbolik por nuk do të jetë i fundit, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre./InLajmi/