Aktivistja e njohur nga Suedia, Greta Thunberg, njoftoi përmes rrjetit Twitter se do t’i dhurojë 100,000 euro për luftimin e koronavirusit në Amazonën e Brazilit.
Ky njoftim erdhi pasi figura e famshme u shpërblye me Çmimin Gulbenkian për Humanizëm, i cili ka vlerë monetare prej një milionë eurosh.
Donacioni që do të merret nga shuma e këtij çmimi do të dhurohet për organizatën “SOS Amazona”, që është pjesë e “Fridays of Future Brazil”, organizatë që po ofron ndihmë në luftën kundër koronavirusit në territoret e njerëzve indogjenë.
Thunberg gjithashtu njoftoi përmes një deklarate se 100,000 euro të tjera do t’ia dhurojë Fondacionit “Stop Ecocide” për të ofruar ndihmë që krimi ndaj mjedisit të bëhet krim ndërkombëtar, transmeton EO.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social, vajza me famë botërore tha se do t’i japë si donacion të gjitha të hollat e çmimit të madh, por nuk dha hollësi për përfituesit e tjerë.