Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njofton se përkundër rritjes së numrit të rasteve që po trajtohen me Covid-19, por edhe rritjes së kërkesave nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, furnizimi me material shpenzues dhe masa mbrojtës për stafin shëndetësor, përfshirë edhe dorëzat është i mirë, përcjell InLajmi.
SHSKUK në bashkëpunim me Departamentin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, së fundmi është furnizuar me sasi shtesë të masave mbrojtëse, të cilat përmes Shërbimit Farmaceutik në ShSKUK janë shpërndarë për klinikat që po trajtojnë rastet Covid, por edhe spitalet e përgjithshme.
Po ashtu, ShSKUK njofton se është e furnizuar me barnat themelore që nevojiten për trajtim të rasteve me Covid-19 dhe se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, do të vazhdojë të furnizojë me masa mbrojtëse klinikat dhe spitalet e përgjithshme.
ShSKUK falenderon të gjithë mjekët, infermierët dhe punëtorët tjerë mbështetës që përkundër mbingarkesës së madhe janë duke ofruar shërbime shëndetësore për pacientët e dyshuar dhe konfirmuar me koronavirus./InLajmi/