Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave për parandalimin e virusit Covid-19, në këtë ditë kur Gjilani është në zi për rastin e djeshëm të humbjes së jetës së qytetarëve, ka kërkuar respektimin e masave mbrojtëse nga qytetarët, në mënyrë që shëndeti publik i qytetarëve të mos rrezikohet.
Haziri, ka bërë të ditur se në vija zyrtare janë duke punuar me qeverinë e Kosovës që të zgjidhen disa nga kërkesat emergjente të Spitalit Regjional të Gjilanit, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve për kujdesin intenziv të sëmurëve dhe fluksit eventual të të infektuarve, sepse në këtë institucion jepen shërbime shëndetësore për të gjitha Komunat e Anamoravës dhe nevoja e mbështetjes është e domosdoshme.
Ai ka apeluar për rritje të masave dhe kujdesit ndaj virusit, ‘maska është obligative dhe distanca sociale gjithashtu. Vdekja e djeshme është alarm për të gjithë qytetarët, edhe për ata që e kanë humbur besimin në këtë infeksion, por edhe për ata që e konsiderojnë të rrezikshëm, apo për ata që e konsiderojnë grip të zakonshëm.
“Nga rezultatet e marra sot, për mostrat që janë punuar nga Insituti Kombëtar i Shëndetit Publik, kemi katër rezultate me konfirmim pozitiv dhe rastet tjera janë negative, duke konfirmuar edhe shërimin e 9 qytetarëve të Gjilanit. Dita e djeshme ishte mort i madh në Gjilan, kemi humbur tre qytetarë të respektuar, që kanë humbur betejën me Covid fatkeqësisht. Sot Gjilani është në ditë zie, në shenjë respekti e dhimbje për qytetarët tanë. Ne po vazhdojmë me ndërmarrjen e masave adekuate kundër sëmundjes”, ka thënë Haziri.
Haziri ka dhënë edhe shifrat e fundit të rasteve gjatë gjithë përballjes me pandeminë globale, për Komunën e Gjilanit.
“Kemi 190 të shëruar plotësisht, raste aktive janë 130, të vdekur 7, ndërsa rasti i tetë, i një të riu që ka humbur jetën për shkak të problemeve shëndetësore, testi është marrë në gjendjen pas vdekjes dhe do të konstatohet nëse ka pas infeksion me Covid apo ka vdekur si pasojë e problemeve tjera shëndetësore.