Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka reaguar pas akuzave të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdiu Hoxha, i cili ka thënë se LVV është fajtore për gjendjen e krijuar në Telekom, përcjell InLajmi.
Kryeziu ka thënë se deputeti Sejdi Hoxha sa ishte kryeshef i Postës ka përfituar mijëra euro, ndërkohë që ndërmarrja ka punuar në humbje.
Postimi i plotë i tij;
Sejdi Hoxha, deputet i PDK-së dhe deri para një viti Kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës, e cila deri në vitin 2011 ishte një me Telekomin, paska sulmuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! përmes një konference për shtyp për gjendjen e krijuar në Telekom.
Pra, ai që duke qenë PDK u bë Kryeshef në një ndërmarrje publike nga viti 2012-2019 vetëm për t’u rikthyer më pas sërish në origjinë si deputet i PDK-së, qenka shqetësuar tash për Telekomin.
Ky deputet që po ja don “të mirën” Telekomit e po e sulmon LVV-në, ka përfituar mijëra euro duke qenë në krye të Postës e cila operonte me humbje milionëshe nën drejtimin e tij, përderisa LVV organizonte tryeza, interpelanca, e seanca të jashtëzakonshme në kundërshtim të shkatërrimit të Postës dhe Telekomit.
Në vitin 2017 dhe 2018, z. Hoxha i ka kushtuar Postës 50 mijë e 309 euro, respektivisht 40 mijë e 438 euro (paga, bonuse, mëditje, shpenzime të telefonit, derivateve dhe reprezentacionit). Pra, rreth 4 mijë euro në muaj. Teksa, sipas raportit të auditorit të vitit 2018 Posta e Kosovës vazhdonte të operonte me humbje milionëshe, dhe për çdo vit kërkonte mbështetje financiare për pagat e punëtorëve, kryeshefi i kësaj kompanie, z. Hoxha, vetëm për shpenzime telefoni në vitin 2017 kishte harxhuar plot 8 mijë e 143 euro.
Këta persona që kanë vjelur ndërmarrjet publike e që jo rastësisht vijnë nga partia e cila është përgjegjësja më e madhe e shkatërrimit ekonomik e dëmtimit të ndërmarrjeve publike, po na shfaqen kinse të shqetësuar për to. Duket që z. Hoxha sot paska vendosur të hedhë mjegull, por shifrat janë të qarta./InLajmi/