Më shumë se 100 personalitete publike, përfshirë laureatë Nobeli, kanë nënshkruar një letër të hapur ku bëhet thirrje që vullnetarët që kanë marrë vaksinën potenciale për koronavirus t’i ekspozohen drejtpërsëdrejti virusit, për të parë nëse vaksina funksionon.
Letra, adresuar Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë në SHBA, thotë se këto “teste sfiduese” mund të përshpejtojnë zhvillimin e vaksinës.
Në të po ashtu shkruhet se testimi do të përfshinte vullnetarë të ri dhe të shëndetshëm.
Drejtori i programit të vaksinës për Covid-19 nga Universiteti i Oxfordit tha se studime të tilla duhet të jenë “të arritshme dhe informative”, shkruan BBC.
Janë gjithsej 23 vaksina në fazën e testimeve klinike në njerëz përreth botës, transmeton KOHA.
E vetmja mënyrë për të ditur nëse funksionojnë është nëse një numër i mjaftueshëm i vullnetarëve që kanë pranuar dozat e vaksinave t’i ekspozohen koronavirusit në jetën e tyre të përditshme dhe të mos infektohen.