Vijon të rritet dhe të mbetet shqetësues numri i viktimave në Shqipëri nga koronavirusi.
Situata paraqitet tepër serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit ka humbur jetën një 44 vjeçare nga Tirana. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, prej 10 ditësh ajo ishte e intubuar dhe nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese, përveç obezitetit.
Po ashtu, nuk e kanë fituar betejën edhe dy qytetarë, një 64 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçare nga Vlora me sëmundje bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 3 persona të tjerë të prekur me Covid-19 kanë ndërruar jetë sot, ndërkohë që katër humbën zyrtarisht jetën një ditë më parë.
Në 24 orët e fundit është shënuar rritje edhe te rastet e reja, pasi janë konfirmuar pozitivë me koronavirus edhe 99 persona, shkruan Ora News.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 40 raste në Tiranë, nga 6 raste në Fier, Kavajë, nga 5 raste Dibër, Mirditë, nga 4 raste Krujë, Devoll, nga 3 raste Vlorë, Sarandë, Malësi e Madhe, nga 2 raste Durrës, Kurbin, Korçë, Elbasan, Lezhë, Has, Lushnje, Prrenjas, nga 1 rast në Kukës, Berat, Pogradec, Roskovec.